Drejtor pergjegjes Shyqeri Halabaku mob +37744177106
E-mail Diese E-Mail-Adresa eshte e mbrojtur kunder Spambot! Duhet te aktivoni Javascript per ta lexuar te njejten.
Serbia ka strategjinë për të penguar njohjet e reja
Eksperti amerikan James Hooper, menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Publike, thotë se Kosova duhet të ketë gati një strategji diplomatike për ta zbatuar pas daljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndërsa shprehet se Serbia e përdori seancën e KS të OKB-së të martën për të ngritur perden e strategjisë që do të ndjekë pas vendimit të Gjykatës.
“Mendoj se seanca e Këshillit të Sigurimit ishte në fakt një ngritje sipari për të paktën strategjinë serbe për hapat që do të marrë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të nxjerrë opinionin e saj jodetyrues për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, thotë Hooper në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke shtuar se Beogradi ka një strategji të hartuar me shumë kujdes dhe se Serbia dëshiron ta përgatisë terrenin që menjëherë pasi Gjykata të nxjerrë opinionin e saj, të bëjë thirrje për një votim tjetër në Kombet e Bashkuara në përpjekje për të konsoliduar mbështetjen e vendeve të botës së tretë për qëndrimin e Beogradit. Sipas tij, përfaqësuesit serbë do të pretendojnë fitore, do ta interpretojnë si të duan dhe do të thonë se kjo është një fitore e madhe për Serbinë, që tregon se pavarësia e Kosovës nuk është e ligjshme.
Ai thotë se shumë vende janë duke pritur mendimin e GJND-së për njohjen e Kosovës, ndërsa qëllimi i Serbisë është të parandalojë një valë njohjesh të reja nga shtetet e botës së tretë që deri sot nuk e kanë njohur Kosovën.
“Sigurisht që Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e pavarur dhe Serbia nuk mund të bëjë asgjë për ta ndryshuar një gjë të tillë, por u përpoq dhe arriti që të bindte vende të tjera që të mos ta njihnin Kosovën. Bëhet fjalë për shtete që mund ta kishin pasur vullnetin ta njihnin, por e pranuan argumentin që një vendim ligjor pritej të jepej nga një gjykatë, kështu që ende nuk duhej të ndërmerrnin ende ndonjë hap. Serbia do të donte që kjo periudhë të zgjaste, por realiteti është që nëse Kosova ka një strategji diplomatike të vetën dhe të punojë në bazë të saj përpara dhe pas vendimit të Gjykatës, ato mund të sigurojnë njohjen e një numri shtetesh të tjera”, shprehet Hooper.
Ai thotë se veriun e Mitrovicës e kanë lënë në këtë gjendje ndërkombëtarët në vitin 1999 “për t’ia bërë qejfin Beogradit”. Sipas tij, serbët e veriut kanë një qëndrim të ndryshëm ndaj Kosovës, krahasuar me serbët e jugut, për të cilët ai thotë se kanë vendosur të jenë një pjesë e Kosovës dhe të ardhmes së saj dhe ata e pranojnë situatën dhe nevojën për të jetuar në komunitetin e ligjeve. Në veri serbët janë më të radikalizuar, thotë Hooper, duke qenë se ata e konsiderojnë veten pjesë të Serbisë, jo pjesë të Kosovës dhe ata mendojnë se e kanë zmbrapsur me sukses komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht KFOR-in dhe EULEX-in dhe po përpiqen vazhdimisht të tregojnë se nëse ka përpjekje nga ndërkombëtarët ose autoritetet në Prishtinë për të integruar veriun në Kosovë, ata do ta luftojnë një gjë të tillë. Sipas tij, ata janë të gatshëm për dhunë dhe janë gati të luftojnë, sepse besojnë se janë pjesë e Serbisë dhe duan të jenë pjesë e Serbisë dhe mund të përdorin dhunën që kjo çështje të ketë peshë edhe në politikën e brendshme të Serbisë.
Dedaj kandidat për nënkryetar të ELDR-it
Themeluesi dhe lideri i Partisë Liberale të Kosovës Gjergj Dedaj është kandiduar nga kryesia e këtij subjekti politik për nënkryetar të Partive Liberale, Demokratike dhe Reformatore të Evropës (ELDR)me seli në Bruksel.
Fakti se PLK është ndër partitë me të vjetra dhe ndër të parat me ideologji dhe përcaktim liberal në Kosove dhe në këtë pjesë të Evropës si dhe i vetmi subjekt politik kosovar i anëtarësuar me të drejta të plota në strukturat politike të Evropës siç është ELDR me seli në Bruksel dhe të botës Internacionalja Liberale me seli në Londër ia mundëson që në Kongresin e 31-të të ELDR-it i cili do të mbahet në tetor të këtij viti ne Helsinki të Finlandës Dedaj të jetë njëri ndër kandidatet për nënkryetar të ELDR-it.
Në këtë Kongres do të marrin pjesë afër 50 parti liberale. /Telegrafi/
Londër, policia heton e vrasjen e Nezir Golajt
Të enjten në Londër është vrarë Nezir Golaj, biznesmeni shqiptar nga Kosova qe jetonte një kohë të gjatë në Britani. Ai ishte duke u nisur për në punë nga shtëpia e tij kur u qëllua me armë zjarri ndërsa ishte brenda makinës së tij afër rrugës Hendon Way në veriperëndim të Londrës.
Sipas burimeve të konfirmuara, gruaja dhe vajza e tij e kishin gjetur trupin e pajetë të të ndjerit dhjetë minuta më vonë.
Policia thuhet të ketë bllokuar rrugën në të cilën gjendet shtëpia e të ndjerit, kurse detektivët po hulumtojnë rastin dhe po kërkojnë vrasësin.
Ende nuk dihet për motivin e kësaj vrasjeje dhe ende nuk ka arrestime.
I ndjeri, Nezir Golaj, 45 vjeçar ka qenë biznesmen i suksesshëm në ndërtimtari dhe anëtar i respektuar i komunitetit shqiptar në Britani. /bbc/












